Gardiani i gjuhës shqipe
Nuk ka rëndësi sa vjet kishte.
Përcillte njerëzit që hynin e dilnin nga oda. Ndiqte me kujdes çka flitej. Nuk do t’i ketë shkuar mendja askujt, se dikush aty, në atë pritje, po ndiqte me kujdes çdo fjalë e fjali. Për shumë mysafir, mësues, mjek, profesor, jurist, ekonomist apo inxhinier, të flisnin do si do, nuk ishte lehtë, kur kuptonin se bacë Jashari është aty.
- Kjo fjalë është e huaj; thoshte me butësi bacë Jashari.
- Shqip thuhet kështu; pohonte ai, dhe pushonte. Bacë Jashari, lirisht mund të quhej gardian i gjuhës shqipe, por edhe i kështjellave të sintaksës, do të thoshte gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.
Nuk thuhet president, por kryetar, thoshte Jashar Loshi.
Nuk thuhet parlament, por kuvend, vazhdonte ai, kur hetonte çastin për korrigjim.
Nuk thuhet mazhorancë, por shumicë...
Nuk thuhet selam alejkum, por, ju ngjatë jeta...
Nuk thuhet s’ka përse, por me nder qofsh...
Nuk thuhet merhaba, por mirëserdhët...
Sa fjalët u përdorën gabimisht atë ditë, Jashar Loshi i korrigjoi pa lëshuar pe edhe për një të vetme.
Ligjërimi i drejt i bënë nder edhe mësuesit, edhe profesorit edhe mjekut edhe juristit edhe ekonomistit edhe tregtarit po edhe bujkut në arë e punëtorit në fabrikë, thoshte Jashari, pa iu trembur syri e pa iu dridhur buza.
Ai, gjatë ligjërimit të mysafirëve në odë, korrigjonte me mjeshtri fjalët e fjalitë e shqiptuara gabimisht.
Ai kishte trashëguar dhunti natyrore ligjërimin. Nuk ndërhynte kurrë pa rend e pa vend.
Ai priste gjithherë çastin dhe si për mahi korrigjonte gabimet. Kështu ruhet gjuha shqipe, kështu ruhet sintaksa e ligjërimit shqip, thoshte ai.
Në Pemishte gërshetohen e folmja e Dukagjinit me atë të Drenicës, kështu që
dikush, si për mahi Pemishten e vogël, e krahason me Elbasanin, ndërsa përroin, i cilin ndan fshatin në dysh, ndonjëherë e quajnë Shkumbin.
Ka çka të shkruhet
Ata që sot shkruajnë shqip, ata që sot përditë mbushin faqe gazetash, ata që me kamera të prodhimit të fundit të teknologjisë, mbushin me pamje filmike ekranet në çdo shtëpi, do të duhej që nga njëherë t’ia mësyjnë edhe fshatrave.
Nga Prishtina, brenda ditës, mund të vizitosh cilindo vendbanim të Kosovës. Ia vlen që auditori të shoh e dëgjoj edhe për ato fshatra që nuk i ka par kurrë syri i kamerës, e as që ka shkruar dikush, qoftë edhe një lajm të vetëm. Ka fshatra e vendbanime të Kosovës, ku ende nuk ka shkelur asnjëherë gazetari e kameramani. Për Pemishten është shkruar, por jo sa duhet, dhe nuk është shkruar për shumë vlera të pakrahasueshme të njerëzve talent që ka lindur ky fshat. Është shpërblim moral të shkruhet ndonjëherë edhe për ata që ende nuk kishin arritur të mësojnë alfabetin të cilin e themeluan kolosët e atdheut; Mjeda e Fishta.
Ata që nuk ia vënë syrin e as ia varin veshin të shkuarës, ata që sot, herë mburrën e herë përqeshin gjithçka të së kaluarës, ata që sot belbëzojnë shumë gjuhë të popujve të ndryshëm të botës, duhet t’ua dinë për nder atyre njerëzve tanë, të cilët edhe atëherë kur nuk dinin të shkruajnë e të lexojnë, ia dolën të mbijetojnë në tokat stërgjyshore, duke ruajtur jo vetëm trojet, por edhe kështjellat e sintaksës shqipe. Duhet të shkruhen e mbeten testament, së paku gojëdhënat që ruhen ende. Nuk është mirë që harresa t’i mbulojë shumë gjera me vlerë të pa krahasueshme. Brezat e tashëm e të ardhshëm, duhet të dinë dhe të kenë mundësi të lexojnë diçka edhe nga e kaluara jonë.
Cilët ishin pararendësit tanë?
Kush ishin ata që ia qëndisën ballin pushtuesit?
Pemishtja e Kamer Loshit
Sa herë përmendën fshatrat e Drenicës së Epërme, në Historinë shqiptare, lexuesi patjetër do has emrin e Pemishtes.
Nëse e quajmë Pemishtja e Kamer Loshit, nuk hidhërohet dot njeri. Historia e kësaj ane nuk paramendohet pa emrin e tij. Pemishtja ka edhe emra të tjerë që i bëjnë nder jo vetëm këtij fshati, por Kameri qëndron shkëmb graniti para të gjithëve. Ai i bënë roje nderi atdheut të tij, tash një shekull. Ai u bë shembull burrërie e trimërie në kohë të vështira.
Reportazhet e sotme janë vetëm një përkujtim në përvjetor pa numra e data. Reportazh për Pemishten mund të shkruaj kushdo që ka mësuar 36 shkronjat e arta të Kongresit të Manastirit, ngase ka për çka të shkruaj, dhe mund të shkruaj vetëm ai kalemxhi, i cili njeh mirë rregullat sintaksore të gjuhës shqipe, të cilat, këtu, nuk arriti t’i pushtojë e rrënojë asnjë armik gjatë shekujve.
Të shkruhet një reportazh për një fshat siç është Pemishtja është punë jo fort e lehtë. Jo me dy, por edhe me qindra faqe shkrimi nuk do mund të përfshiheshin, puna, heroizmi, kultura dhe vendosmëria e banorëve te këtij fshati, të cilët i mbeten besnik tokës stërgjyshore, si vetë jetës.
Heroi dhe rapsodi
Bashkëfshatarët e Kamerit ndiqnin lëvizjen e trimit me mençuri dhe e njoftonin shumë herë se kur dhe ku e kishin kërkuar armiqtë. Një natë kur kishte zënë vend në një shtëpi koloni, ne Belice, atë e rrethoi xhandarmeria serbe dhe prej andej nuk doli i gjallë.
Duke kënduar Kamer Loshin, Dervish Shaqa sikur personifikohej edhe vet me trimin.
Duke e bërë të paharrueshëm Kamerin, edhe rapsodi u bë i tillë.
Këngëtari popullor anonim, Kamerin e bëri të pavdekshëm me vargjet;
“Kamer Loshi, Kamer Sejdia
Nuk dorëzohet pa u djeg shpija
Për pa marrë kulla flakë
Për pa i ra zharava në qafë
Thërret Kameri o Murat
Merr kutinë o me sahat
Merr sahatin e merr kutinë
Ma Kameri duhan nuk pinë”.
Kamer Loshi nuk ka as varr, as pllakë, as muranë
Kamer Loshi nuk ka varr siç nuk ka as Shaqir Smaka i fshatit Kastriot.
Ai u dogj në kullën ku luftoi deri në vdekje. Çeta e tij çau rrethimin me ndihmën e pushkës së Kamerit, gjëma e së cilës nuk pushoi derisa u shemb kulla nga zjarri. Është koha të kemi edhe muze edhe monumente kulture. Është koha për të bërë diçka që mund të bëjmë e duhet ta bëjmë. Ndryshe historia nuk do e na falë kurrë.
Sahati, (ora e xhepit) kutia e duhanit dhe çibuku i Kamer Loshit thuhet se kanë ekzistuar deri vonë dhe janë ruajtur nga dikush, po vallë sot ku janë?
Për këtë duhet Muzeu në Runikë.
Historia jonë tashmë ka truall. Dokumentet dhe faktet duhet të vendosen atje ku e kanë vendin dhe ku mund t’i shohin të gjithë. Dëshmitë, më nuk ka nevojë të ruhen nëpër xhepa e nëpër dollap personal.
Post a Comment