Kamer Loshi, simbol i rezistencës




Runiku nga Neoliti, pushtimi romak, bizantin, otoman e sllav (8)


Adem NimaniPemishtja (Padalishta) e sotme e Drenicës së Epërme, pas largimit të pushtuesit shekullor osman, u përball me sulmin e pushtuesit serb. Derisa nga luftërat ballkanike populli shqiptar doli i copëtuar e i pushtuar, Lufta e Parë Botërore në trojet shqiptare solli pushtues të tjerë. Austro-Hungaria, megjithëse ndoqi ushtrinë sllave deri në Selanik e Korfuz, në tokat e arbrit nuk arriti ta konsolidojë pushtimin. Megjithatë, gjatë katër vjetëve të pushtimit austro-hungarezët piketuan ndërtimin e shumë rrugëve të rëndësishme që lidhnin trevat e Shqipërisë. Rruga që lidh Mitrovicën dhe Pejën edhe sot u ndërtua pikërisht gjatë pushtimit austro-hungarez. Rruga e re kësaj treve i solli edhe telashe të reja. Megjithëse ndërtimi i rrugëve përherë ishte vlerësuar si civilizim dhe lidhje më e fortë mes popullit, as kësaj radhe shqiptarët nuk po e shihnin këtë si shenjë të mirë në trojet e tyre. Për katër vjet të pushtimit austro-hungarez, familje të panumërta rrënuan shtëpitë e tyre kudo që kishin rastisur afër rrugëve dhe gradualisht u vendosën në distancë të mjaftueshme larg tyre. Jo pak krijues tanë, historian e shkrimtarë, kanë vërejtur mirë këtë dukuri, që për rrethanat e sotme duket e pazakonshme.
Se sa kishin të drejtë shqiptarët autoktonë që po vendoseshin larg rrugëve u pa shumë shpejt me të mbaruar Lufta e Parë Botërore. Aleanca anglo-franceze-ruse, që doli fituese nga kjo luftë shfarosëse, e shpërbleu Serbinë me territore të mëdha shqiptare e austro-hungareze. Serbia u zgjerua edhe deri atje ku nuk kishte imagjinuar asnjëherë me planet e saj më të errëta. Meqenëse Anglia, Franca dhe Rusia diktonin se kush çka fitoi shqiptarët, si zakonisht, të përçarë së tepërmi, edhe kësaj radhe dolën humbësit më të mëdhenj krahas Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë, e cila u nda në dysh. Prej saj dolën dy shtete të vogla: Austria dhe Hungaria e sotme. Turqia, e cila me shpresë se do të mbajë për vete trojet shqiptare, humbi edhe shumë territore që nuk i kishte paramenduar t’i humbiste asnjëherë.
Fillimi i menjëhershëm i kolonizimit serb të tokave shqiptare i paraparë nga Kisha Orttodokse Serbe dhe hartuesit e njohur të elaborateve antishqiptare vepruan rrufeshëm. Kolonizimi i Kosovës sidomos bri rrugëve, grykave strategjike, tokave më pjellore, burimeve të ujit, kullosave e pyjeve më të mira, filloi shpejt. Në fokus të kolonëve që në fillim ishte treva e Runikut e cila i përket Drenicës së Epërme dhe përherë është quajtur Koka e Drenicës. Pikërisht në ketë pjesë të Kosovës, Serbia filloi vendosjen e kolonëve të përzgjedhur me strategji të qartë. Ata, posa u vendosen, filluan zbatimin e planifikuar të të gjitha mënyrave të dhunës mbi shqiptarët. Së pari iu mor toka e punueshme familjeve të mëdha si Miftari, Dauti Misiri, Çitaku, Rama e kështu me radhë.
Ka fakte e dokumente të mjaftueshme se si u kolonizuan fshatrat e Drenicës së Epërme: Kalludër, Bërnjak, Dreth, Banjë e Syriganë dhe me radhë Runiku, Radisheva, Kotorri e Kastrioti.
Bërrnjaku dikur banohej nga shqiptarët e Prekazit të sotëm dhe sipas shënimeve pjesa e mbetur e popullatë se këtij vendbanimi që i përkiste konfesionit ortodoks shumë shpejt u asimilua dhe ata u regjistruan pa dashur serb. Fshati malor Dreth ishte pronë e familjes Balaj, të cilët u detyruan me dhunë të shpërngulen prej aty në Cerkolez, disa në Rakosh e disa në Syriganë por edhe më larg, deri ne Prishtinë. Familja e madhe Çitaku u dëbua nga Baja me dhunë. Gjithë fshati i sotëm Çitak dhe gjysma e popullatës së Leqinës kanë origjinë nga Banja dhe i përkasin të njëjtës familje dhe të njëjtit fis.
Kolonët serbë morën të gjitha arat pjellore, burimet e ujit dhe malet e kullosat e njohura të Radishevës e Kotorrit. Turri i kolonëve pati sukses edhe me rastin e fshatit Kostërc, sot Kastriot. Rezistenca e Shaqir Smakës nga Kostërci zvarriti vetëm për pak kohë kolonizimin e fshatit. Me vrasjen e Shaqirit, shumica e tokës pjellore e Kostercit u bë pronë e kolonëve. Rezistenca e armatosur shtyu përkohësisht vrullin e kolonizimit.
Sulmi i kolonëve mbi Padalishtë, sot Pemishte, fshat të cilin e ndan lumi në dy pjesë nuk dha rezultatet e pritura për pushtuesin serb. Padalishta e Kamer Loshit filloi rezistencën e armatosur. Kolonët e përkrahur nga xhandarmeria serbe ndërprenë përkohësisht kolonizimin e Padalishtës por edhe të Leqinës duke ndryshuar strategjinë për të kolonizuar më parë Mirushën(Belicën) në mënyrë që të ndërpriten lidhjet mes fshatrave shqiptare.
Të shkruash për qëndresën e leqinakëve kundër kolonizimit është goxha temë pasi që aty u vendosen disa shtëpi kolonësh por gjithçka u mbeti në fyt. Fatkeqësisht për temën e kolonizimit serb është shkruar e folur fare pak, kur dihet se çka ndodhi ne terren. Edhe sot kushdo që ka interes mund të vizitoje Leqinën dhe të bindet me fakte. Qëndresën heroike të Leqinës e transmetuan brez mbas brezi eruditet e kohës te cilët edhe në rrethanat më të vështira ia dolën të mbijetojnë në tokën stërgjyshore.
Familja e madhe Loshaj rrokën ato pak armë që kishin dhe në këtë drejtim priu Sylë Loshi me djem e pastaj edhe Kamer Loshi me vellezër dhe fqinjë. Në një situatë thuaja pa shpresë Sylë Loshin një ditë e arrestojnë dhe e dergojnë në stacionin e xhandarmerisë në Runikë, prej nga nuk doli i gjallë. Kamer Loshi me vëllezër dhe shokë mori malin i armatosur. Trimat e kësaj toke nuk ishin frikësuar asnjëherë nga vdekja. Duke qenë i përndjekur nga pushtuesi serb, Kameri me shokë kohën e kalonte nëpër male por një ditë ai gjendet i rrethuar në një kullë kolonësh në fshatin Mirushë(Belicë). Aty u zhvillua lufta e fundit e Kamerit.
Atë ditë kur pushka nuk kishte pushuar me orë, në mbrëmje të vonë me shi, xhandarmeria serbe kishte sjellë edhe topat. Nen zjarrin e pa ndërprerë të armëve Kameri ishte plagosur rëndë por krismat nuk kishin pushuar dhe xhandarmeria me ushtri duke parë se nuk ka fuqi për të nxjerrë nga kulla Kamerin, dërgon ndërmjetësues. Dëshmitë e kohës flasin se në mesin e xhandarmerisë ishte me uniformë edhe një shqiptar me emrin Ramadan Vinarci. Dialogu i Ramadanit me Kamer Loshin nga distanca dhe në errësirë të plot krahas shiut ishte dëgjuar larg. Derisa vazhdonte ndërmjetësimi me shpresë se të rrethuarit mund të dalin të gjallë, dikush duke dëgjuar mirë bisedën dhe zërin prej nga po vjen, shtie me pushkë dhe vret në vend Ramadan Vinarcin. Në ndërkohë me urdhrin e Kamer Loshit, shokët e çetës tërhiqen një nga një, krahas zjarrit të pandërprerë të Pushkës së Kamerit. Derisa jehona e pushkës vazhdonte në malet e Mirushës (Belicës) ,shokët e Kamerit ishin larguar të sigurt nga rrethimi.
Kameri i plagosur rëndë po godiste armikun me fishekët e fundit duke mos u dorëzuar deri në vdekje. Qëndresën e Kamer Loshit e përjetësoi rapsodi popullor me këngën tashmë të njohur, por e cila duke u kënduar edhe nga rapsod të tjerë ka humbur shumë nga përmbajtja e saj reale dhe artistike që kishte.
Vetëm pas largimit të ushtrisë austro-hungareze do të shihen pasojat e pastrimit etnik që filloi të zbatoi Serbia, nen firmën e të ashtuquajturës Mbretëri Serbo-kroate-sllovene, shkurt MSKS.
Kosova si vilajet i dikurshëm turk ,sipas organizimit serb u nda ne tri të ashtuquajtura banovina: Të Vardarit, Moravës dhe Zetes. Qe ne fillim Serbia shfaqi haptas pretendimet e saj për të likuiduar etnikumin shqiptar nga trojet e veta.
Drenica e Epërme më herët se pjesët tjera të Kosovës i nënshtrua terrorit të hapur të kolonëve serb që po vendoseshin bri rrugës strategjike që lidhte Mitrovicën dhe Pejën.

Pemishtja e Kamer Loshit

Sa herë përmendën fshatrat e Drenicës së Epërme, në Historinë shqiptare, lexuesi patjetër do has emrin e Pemishtes.
Nëse e quajmë Pemishtja e Kamer Loshit, nuk hidhërohet dot njeri. Historia e kësaj ane nuk paramendohet pa emrin e tij. Pemishtja ka edhe emra të tjerë që i bëjnë nder jo vetëm këtij fshati, por Kameri qëndron shkëmb graniti para të gjithëve. Ai i bënë roje nderi atdheut të tij, tash një shekull. Ai u bë shembull burrërie e trimërie në kohë të vështira.
Reportazhet e sotme janë vetëm një përkujtim në përvjetor pa numra e data. Reportazh për Pemishten mund të shkruaj kushdo që ka mësuar 36 shkronjat e arta të Kongresit të Manastirit, ngase ka për çka të shkruaj, dhe mund të shkruaj vetëm ai kalemxhi, i cili njeh mirë rregullat sintaksore të gjuhës shqipe, të cilat, këtu, nuk arriti t’i pushtojë e rrënojë asnjë armik gjatë shekujve. Vetëm duke respektuar rregullat drejtshkrimore shqipe dhe Alfabetin e Manastirit respektohet edhe për se vdekuri kushëriri i Kamerit, Jashar Loshi
Të shkruhet një reportazh për një fshat siç është Pemishtja është punë jo fort e lehtë. Jo me dy, por edhe me qindra faqe shkrimi nuk do mund të përfshiheshin, puna, heroizmi, kultura dhe vendosmëria e banorëve te këtij fshati, të cilët i mbeten besnik tokës stërgjyshore, si vetë jetës.

Heroi dhe rapsodi

Bashkëfshatarët e Kamerit ndiqnin lëvizjen e trimit me mençuri dhe e njoftonin shumë herë se kur dhe ku e kishin kërkuar armiqtë. Një natë kur kishte zënë vend në një shtëpi koloni, ne Mirushë (Belice), atë e rrethoi xhandarmeria serbe dhe prej andej nuk doli i gjallë.
Teksti i këngës për luften dhe qëndresën e Kamer Loshit saktësisht është hartuar e përpunuar ne Leqinë por si zakonisht me kohe rapsodët e kopjuan dhe e modifikuan. Megjithëse versioni i pare i këngës kishte dallim jo te vogël nga ai qe e këndoi me zemër Dervish Shaqa rapsodi, sot e kësaj dite identifikohet me vete heroin.
Duke kënduar Kamer Loshin, rapsodi i njohur Dervish Shaqa sikur personifikohej edhe vetë me trimin.
Këngëtari popullor anonim, Kamerin e bëri të pavdekshëm me vargjet:
“Kamer Loshi, Kamer Sejdia
Nuk dorëzohet pa u djeg shpija
Për pa marrë kulla flakë
Për pa i ra zharava në qafë
Thërret Kameri o Murat
Merr kutinë o me sahat
Merr sahatin e merr kutinë
Ma Kameri duhan nuk pinë”.

Kamer Loshi nuk ka as varr, as pllakë, as muranë

Kamer Loshi nuk ka varr siç nuk ka as Shaqir Smaka i fshatit Kastriot.
Ai u dogj në kullë, aty ku luftoi deri në vdekje. Çeta e tij çau rrethimin me ndihmën e pushkës së Kamerit, gjëma e së cilës nuk pushoi derisa u shemb kulla nga zjarri. Është koha të kemi edhe muze edhe monumente kulture. Është koha për të bërë diçka që mund të bëjmë e duhet ta bëjmë. Ndryshe historia nuk do e na falë kurrë.
Sahati, (ora e xhepit) kutia e duhanit dhe çibuku i Kamer Loshit thuhet se kanë ekzistuar deri vonë dhe janë ruajtur nga dikush, po vallë sot ku janë?


Për këtë duhet Muzeu në Runikë.
Historia jonë tashmë ka truall. Dokumentet dhe faktet duhet të vendosen atje ku e kanë vendin dhe ku mund t’i shohin të gjithë. Dëshmitë, më nuk ka nevojë të ruhen nëpër xhepa e nëpër dollap personal. (VIJON)


0/Post a Comment/Comments

Previous Post Next Post

Sidebar Ads

Ads1
Ads2