Së paku 3 policë të vrarë në Kumanovë – 22 të plagosur



 

Të paktën tre policë janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve në Kumanovë. Raportohet edhe për civil të vrarë, por këto informacione nuk konfirmohen zyrtarisht.


Vrasjen e tre policisë e kanë konfirmuar familjarët e tyre, ndërsa policia ende nuk ka dhënë informacione zyrtare për bilancin e përleshjes së armatosur. Të dhënat zyrtare të policisë priten pas përfundimit të aksionit.

Rreth orës 20:00 disa media informuan se pjesëtarët e grupit të armatosur i janë dorëzuar policisë, por në terren edhe më tej u dëgjuan krismat, pasi disa nga pjesëtarët e grupit kishin refuzuar të dorëzohen. Raportohet se policia ka arritur të neutralizojë edhe ata që refuzuan të dorëzohen duke vrarë 5 prej tyre, raporton Topchannel.

Zyrtarisht autoritetet maqedonase thonë se policia ndërhyri në Kumanovë pas informacioneve se “një grup i armatosur terrorist që kishte hyrë nga një vend fqinj në Kumanovë, po bëhej gati të kryente sulme terroriste”.

Por banorët e Kumanovës thonë se nuk kanë asnjë informacion se cilët mund të jenë personat e armatosur që përmendin zyrtarët maqedonas.

Zëdhënësi i Ministrisë Brendshme maqedonase, Ivo Kotevski tha se operacioni policor vazhdon dhe ka hasur në rezistencë të fortë. Mediat maqedonase dhe shqiptare flasin për të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur që nga Kumanova janë dërguar në spitalin e Shkupit, duke konfirmuar raportet për ashpërsinë e përleshjeve.

Megjithëse zyrtarisht nuk ka një numër viktimash, kjo është pranuar në deklaratat e SHBA apo BE për ngjarjen, deklarata që tregojnë se Qeveria e Maqedonisë po mban të fshehtë numrat dhe mbase dhe faktet të tjera për atë që po ndodh në Kumanovë.

Diplomatët ndërkombëtarë dënojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për të ruajtur qetësinë e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve.

0/Post a Comment/Comments

Previous Post Next Post

Sidebar Ads

Ads1
Ads2