Ushtria Çlirimtare Kombëtare mbrëmë pas mesnatës ka dalë edhe me një deklaratë, përmes se cilës konfirmon pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur me forcat policore maqedonase, por mohon të jenë “grup terrorist”, siç i ka cilësuar ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare, duke konfirmuar numrin prej 5 policëve të vrarë dhe mbi 20 të plagosur kërkon nga Jankullovaska që të mos mashtrojë opinionin se kinse pjesëtarët e UÇK-së janë dorëzuar, duke thënë se të dorëzuarit janë civilë të mashtruar nga Qeveria maqedonase.
Nga qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë kërkohet që të rrinë larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë, të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.
Lexojeni të plotë kumtesën e UÇK-së:
KOMUNIKATË NR. 4
Opinionit shqiptar.
Në këtë kohë të vështirë letrat janë hapur me shtetin policor antidemokratik të IRMJ.
Konflikti i armatosur në qytetin e Kumanovës, dhe rrethinat e tij është një reagim i vendosur i strukturave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe jo “i grupeve terroriste”, sipas variantit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ.
Deklarimet e Jankullovskës janë të sakta për dëmet që kanë pësuar forcat e saj kriminale. Rezultojnë 5 policë të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Kjo është pasoja e reagimit tonë të ashpër, të cilin nuk do ta ndalim në ditët që vijnë.
Jankullovska tu vërë emrin e vërtetë “të arrestuarve” pas “dorëzimit të tyre”, të mos mashtroje opinionin e vëmendshëm shqiptar dhe më e pakta, t’i kthejë edhe një herë prapa ata civilë të paguar dhe t’i veshë me uniformën ushtarake.
Ne hedhim poshtë me përbuzje këtë inskenim të turpshëm dhe amator, pre e të cilave janë bërë një numër i madh portalesh dhe gazeta e agjenci lajmesh, të cilat në mënyrë jo profesionale janë përpjekur të dezinformojnë opinionin shqiptar. Jemi mësuar me veprime e qëndrime të tilla policore në një qeveri policore.
Mashtrimi sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ tregon qartë frikën që ka kapur strukturat shtetërore, përballë reagimeve tona dhe valës në rritje të protestave paqësore të shqiptarëve kudo, brenda dhe jashtë IRMJ. Mbështetja e vëllezërve tanë brenda dhe jashtë territoreve shqiptare është e ndjeshme dhe vazhdon të jetë në rritje.
Shtabi i drejtimit bën me dije se, forcat tona janë plotësisht të organizuara në zonën e tyre të aksionit, të disponueshme dhe të afta, me mjete të mjaftueshme që të vazhdojnë luftën kundër strukturave kriminale të shtetit të IRMJ. Shpifjeve “zyrtare” të Jankullovskës u doli ngjyra edhe në këtë rast.
I bëjmë me dije qeverisë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë, të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.
Ne nuk do të mbajmë më përgjegjësi për ata shqiptarë që vazhdojnë të qëndrojnë brenda strukturave policore dhe ushtarake të shtetit të IRMJ.
Strukturat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë në mbrojtje të popullatës dhe ju bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe rrinë larg vatrave të përplasjes me armë.
Të gjithë bashkë, kundër shpifjeve, gënjeshtrave, përçarjes dhe akuzave pseudopatriotike, me besim se do ta rrëzojmë këtë regjim kriminal, për ti hapur rrugën lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Rroftë Kombi Shqiptar
Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare
Gostivar
9 maj, ora 01. 30v
Post a Comment