Pak pas mesditës janë rikthyer të shtënat me armë zjarri në lagjen e banuar nga shqiptarët, në qytetin e Kumanovës në Maqedoni.
Korrespondenti i Top Channel raporton se lagjja mbahet ende e rrethuar prej forcave të shumta policore, ndërkohë që mediat maqedonase kanë publikuar identitetin e një personi të vrarë.
Deri tani nuk jepen hollësi për atë që po ndodh nga autoritetet, dhe as shifra zyrtare për të plagosur dhe të vrarë, ndërsa jozyrtarisht flitet për viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Zyrtarisht autoritetet maqedonase thonë se policia ndërhyri në Kumanovë pas informacioneve se “një grup i armatosur terrorist që kishte hyrë nga një vend në Kumanovë, po bëhej gati të kryente sulme terroriste”.
Por banorët e Kumanovës thonë se nuk kanë asnjë informacion se cilët mund të jenë personat e armatosur që përmendin zyrtarët maqedonas.
Zëdhënësi i Ministrisë Brendshme maqedonase, Ivo Kotevski tha se operacioni policor vazhdon dhe ka hasur në rezistencë të fortë. Mediat maqedonase dhe shqiptare flasin për të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur që nga Kumanova janë dërguar në spitalin e Shkupit, duke konfirmuar raportet për ashpërsinë e përleshjeve.
Sipas mediave, janë vrarë të paktën 4 oficerë policie dhe disa civilë, mes të cilëve edhe një vajzë 8-vjeçare. Ndërkohë, spekulohet se mes viktimave është edhe Fadil Fejzullai nga Kumanova, ish-pjesëtar i UÇK-së, në shtëpinë e të cilit dyshohet se po qëndronte grupi i armatosur.
Megjithëse zyrtarisht nuk ka një numër viktimash, kjo është pranuar në deklaratat e SHBA apo BE për ngjarjen, deklarata që tregojnë se Qeveria e Maqedonisë po mban të fshehtë numrat dhe mbase dhe faktet të tjera për atë që po ndodh në Kumanovë.
Diplomatët ndërkombëtarë dënojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për të ruajtur qetësinë e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve.
Post a Comment