Reagimi i qeverisë së Shqipërisë për zhvillimet dramatike sot në Maqedoni
Më në fund, kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvillimet në Maqedoni.
Rama ka hedhur një video, ku flet ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Ja fjalët e Bushatit për ngjarjen në Maqedoni, postuar nga Rama
Reagimi i qeverisë së Shqipërisë për zhvillimet dramatike sot në Maqedoni
Përshëndetje të gjithëve,
Gëzuar Ditën e Europës!
65 vjet nga hedhja e gurit të themelit për krijimin e Europës së Bashkuar, Bashkimi Europian vijon të jetë një model paqe dhe prosperiteti. Për vendet kandidate, siç është shumica e vendeve të rajonit, inspirues për reformat e shtet-ndërtimit demokratik dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Në fakt sot dëshiroja të flisja vetëm për këtë datë të shënuar. Mirëpo për shkak të zhvillimeve dramatike të orëve të fundit në fqinjin tonë Maqedoni, dëshiroj të ndaj me opinionin publik vlerësimet e qeverisë shqiptare lidhur me situatën e deritanishme.
Që në orët e para të mëngjesit, jemi vënë në dijeni nëpërmjet Ambasadës sonë në Shkup mbi fillimin e një operacioni të gjerë të forcave të sigurisë, në hyrje të Kumanovës, në “Lagjen e Trimave”, e banuar kryesisht me shqiptarë.
Nga ky operacion rezulton se kanë humbur jetën dhe janë lënduar një numër personash ende i pakonfirmuar zyrtarisht.
Shprehim keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore dhe në ketë kontekst nxisim autoritetet në Maqedoni për transparence, bashkëpunim dhe hetim të plotë në përcaktimin e fakteve.
Nën interesimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, Ministria e Punëve të Jashtme, që në çastet e para të kësaj krize ka qenë në komunikim e konsultim të ngushtë me autoritetet dhe aktorët politikë e shoqëror në Maqedoni, dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Mesazhi ynë është i qartë: dënojmë çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike.
Njëkohësisht, konsiderojmë të papranueshme që çdo person apo grup personash të armatosur të identifikohen etnikisht, ashtu sikundër është e papranueshme që humbja e jetës së civilëve e policëve të vendoset në sfondin e paragjykimit etnik.
Mirëkuptojmë shprehjen e revoltës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një paqartësie. Por, bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.
Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës, nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë.
Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike.
Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, me bekimin e komunitetit ndërkombëtarë, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.
Në përfundim, dëshiroj të siguroj opinionin publik se do të vijojmë të jemi në kontakte të vazhdueshme me aktoret politik e shoqëror në Maqedoni, dhe me aleatët tanë.
Post a Comment