Malet e thesarit

Tartufi një kulturë pak e njohur në Shqipëri. Informacionet e para për kërpudhën e çmuar, kërkimet e gabuara dhe zbulimi në Divjakë. Pasioni i një gjuetari dhe tregu i munguar shqiptar. Përpjekjet për ngritjen e një biznesi dhe mungesa e legjislacionit

NGA ALIDA CENAJ


Siç thuhet, me këtë punë bëhesh i pasur. Për tartufin ekzistojnë kaq shumë legjenda sa të dëgjosh histori me kërkues të zhardhokut të çmuar, me siguri pret që fundi të jetë i lumtur. Nga ata me bereqet e para. Por Ylli Ristani tund kokën për një "jo" kategorike. Thuhet dhe përflitet është e vërtetë, por të paktën në Shqipëri zor se gjuetia e tartufit i jep fund problemeve ekonomike. Madje për 57 vjeçarin, një nga të paktët, por edhe më të njohurit e këtij "sporti", tartufi më shumë i ka kushtuar sesa i ka sjellë fitime. Betohet se është e vërtetë, sidomos po t'i nisë llogaritë që nga mesvitet '90-të kur dëgjoi për herë të parë fjalën tartuf dhe mori informacionin se mund të gjendej edhe në Shqipëri. Në atë kohë nisi gjuetia e tartufit, e ndjellë nga një letër. Asokohe pakkush ose, më mirë, askush nuk e dinte ekzistencën e tartufit në Shqipëri. Përveç Yllit, të cilit i mbërriti një letër nga i kunati. Ky i fundit, i ikur që herët nga vendlindja, kuzhinier me emër e famë përtej detit, i shkruante gjerë e gjatë për llojin e kërpudhës së çmuar. Informacione, detaje, çmime dhe mbi të gjitha sekretin e madh: Tartufi gjendej në Shqipëri. Mjaftonte ta kërkonte me kujdes, të zbulonte hartën ku ishte më shumë i përqëndruar dhe e siguronte se mund të niste kështu një punë të mbarë e me bereqet. Nga eksperienca i kunati e dinte se një pjatë e gatuar me salcë tartufi kërkohej dhe paguhej mirë, e dinte gjithashte se restorantet e fisme e ofronin edhe të freskët, por kundrejt faturash të kripura; bëhej fjalë për një kërpudhë dhe Shqipëria si vend mesdhetar ishte e bekuar nga Zoti: e kishte me bollëk. Vetëm se, ndoshta prej entuziazmit, edhe i kunati i gjuetarit nuk e dinte se informacionet i kishte jo të gjitha të sakta e mbi të gjitha jo edhe aq orientuese për pritësin e letrës, i apasionuar pas gjuetisë dhe sporteve. Italianët e kishin specialitet, por informacionin për të nuk e shisnin kollaj.

Ylli Ristani kthehet mendueshëm pas në ato vite. Edhe pse pas kaq shumë kohësh, hidhërohet akoma kur kujton gjithë ata muaj të tërë kërkimesh për të gjetur diçka që jo vetëm nuk e njihte mirë çfarë ishte, por edhe e ngatërroi aq shpesh, sa ndonjëherë mendonte se ky do të ishte një mundim i kotë. Pendohej e më pas i rikthehej maleve. Herë gjente zhardhokë që i dukeshin si tartuf e herë kthehej në shtëpi duarbosh. “Veçse duhet të jesh pak “psikopat” të merresh me këtë punë, me beso. Jo kushdo mund ta bëjë. Do shumë pasion, këmbëngulje, durim, do forcë fizike”. Nuk duket t’i mungojnë asnjëra prej këtyre gjuetarit të tartufit. Ylli është 57 vjeç, por asgjë nuk të bën ta besosh këtë. Fizik atleti, i apasionuar pas gjuetisë (pasion i trashëguar nga i ati), ish notar me emër, ai duket se i plotëson për bukuri kriteret për t’iu ngjitur majave, siç tregon, në kërkim të kërpudhës së çmuar. Për ditë të tëra, përgjatë gjithë vitit. Nëpër lartësi e male ku kërkimi nuk është edhe aq shëtitje në ajër të pastër. Noti i ka dhënë fizikun, ndërsa pasioni për gjuetinë, durimin. "Ndaj dhe nuk hoqa dorë. Më ndodhte të kthehesha duarbosh ose edhe plot. Por kur vija në shtëpi e kuptoja se në fakt nuk kisha gjetur asgjë. Se kisha mbledhur plot kërpudha, por asnjëra prej tyre nuk ishte tartuf. Ka zgjatur shumë muaj ky stërmundim". Tregon, me të birin në krah, i cili e mbështet herë me ndonjë saktësim për kohën e kërkimeve të para, e herë për llojet më të preferuara të tartufit. Sepse në fakt, ky i fundit është edhe specialitetit i tij. Enea, ndryshe nga sa mund ta mendosh kur i takon për herë të parë, nuk është pjesë e ekspeditave të gjata dhe të mundimshme të Yllit. I ati ka vendosur kështu. Prej një meraku prindëror që i biri të mos rrezikojë, por edhe pak për çështje vullneti, Enea është zgjedhur për punët e menaxhimit. Për gjueti Ylli del me të vëllanë, Panajotin, ose nipin. Dhe shumë më shpesh vetëm. Sepse nga vitet kur tartufi nuk njihej, ose nga ajo letra e famshme e kunatit ka kaluar shumë kohë. Për hir të një tjetër rastësie, Ylli jo vetëm që u bë një njohës i shkëlqyer i kërpudhës, por është edhe një prej shumë pak shqiptarëve që e gjejnë e që sot mundohen të sigurojnë një treg për tartufin shqiptar.



“Letra shërbeu si pikënisje, por më shumë u dezinformova prej saj sepse edhe im kunat nuk i dinte të gjitha sekretet. Askush nuk ia tregonte as atij. Nga ana tjetër italianët kanë kërkuar shumë kohë para nesh tartuf në Shqipëri. E njohin mirë dhe ia dinë vlerat. Nën petkun e gjuetarëve kanë kërkuar për shumë vite, dhe si të tillë sigurisht që nuk jepnin informacion të saktë”, thotë Ylli. Ndaj dhe ai, në fillim, i orientuar gabim, i hyri qorrazi kësaj pune. Filloi kërkime dhe gjente zhardhokë që as i afroheshin atij të vërtetit. Mblidhte dhe zhgënjehej, për shumë e shumë muaj, gati-gati vite. Dhe pikërisht kur mendoi të hiqte dorë, rastësia e përballi me një italian nga Umbria. “Ishte grumbullues që furnizonte restorantet me tartuf”. Ai ia tregoi sekretet ose më saktë informacionin se ç’pamje kishte e si gjendej tartufi. Ai i solli edhe dy kokrra me të cilat Ylli mësoi qenin, i cili është gjuetari i vërtetë i kërpudhës së njohur.

“Ekzistojnë rreth 50-60 lloje tartufi”, shpjegon ai, “por jo të gjithë janë të konsumueshëm. Të tillë janë vetëm 9 lloje, katër nga të cilët janë më të dëgjuarit”. Ose më të kërkuarit në treg. Bëhet fjalë për tartufin e zi (Melanosporum Vitt.), i quajtur ndryshe ari i zi, i cili gjendet në periudhën dhjetor-mars; është tartufi i bardhë (Magnatum Pico), më i shtrenjti nga të gjitha llojet (çmimi i tij mund të arrijë edhe në 7000 euro kilogrami), ai për të cilin qarkullojnë shumë legjenda shitjesh me vlera stratosferike. Tartufi i bardhë gjendet në periudhën shtator-dhjetor. “Por vitet e fundit ka pasur rënie të çmimit edhe për tartufin e bardhë”, vazhdon të shpjegojë Ylli. Çmimi varion nga madhësia e kokrrës.

Pikërisht këtu hyjnë në lojë ato që tregohen për shifra shumë të mëdha shitjesh. "Kokrra më e veçantë e shitur deri më sot në një ankand ka kapur vlerën e 330 mijë dollarëve. Por duhet të kuptohemi, këto nuk janë ngjarje që ndodhin çdo ditë, ky ka qenë vetëm një rast dhe është blerë nga një koleksionist. Njerëzit duke dëgjuar histori të tilla mendojnë se me tartufin bëhet nami, se fitimi është i jashtëzakonshëm, se kërkimi dhe shitja e tij të bën të pasur”. Kur në fakt, sipas Yllit, nuk është kështu. Sepse jo gjithmonë të ndodh të gjesh një kokërr gjigande e cila përfundon në ankand. Përkundrazi. Kërkimi është stërmundim më vete, po aq sa gjetja e tregut të shitjes së tartufit. Të paktën në një vend si Shqipëria, ku shumica e restoranteve që e përdorin, preferojnë ta blejnë të konservuar nga supermarketi.

“Ndërkaq ka edhe dy lloje të tjera tartufi që përdoren, më pak se dy të parët, ai që quhet Bianchetto ose tartufi i marsit (Borchii Vitt.), dhe i ziu i verës (Aestivum Vitt)”, shton Ylli.

Sa për vendet ku gjendet, edhe kjo është peripeci më vete. Sepse harta është aq e gjerë dhe zonat kaq të përhapura sa ka raste kur duhen ditë të tëra për për zbuluar nga dheu disa kokrra të vogla, që në pamje të parë vështirë të ta mbushin mendjen se kushtojnë aq shumë.

Ndaj dhe rutina e Yllit është zgjimi në orët e para të mëngjesit dhe nisja për rrugë, para se dita të gdhijë. Shoqërues ka vetëm qenin, Keti, (jo edhe aq miqësor me vizitorët), atij të cilit i takon edhe merita e zbulimit të zardhokëve, të cilit i pëlqen të rritet nëpër rrënjët e pemëve. Nuhatja e qenit (stërvitja e tij është art më vete) e drejton aty ku mund të ketë tartuf, zakonisht në rrënjët e pemëve të larta. Jo më kot specialisti e quan tartufin një parazit që ushqehet nga rrënjët e pemëve. Pastaj harta e udhëtimit dhe kërkimit, vështirë të jetë e përqëndruar në një zonë të vetme. Ylli ka kërkuar kudo, ka bredhur shkrepa e male, në veri e në jug. Shtrirja gjeografike ia ka lejuar këtë luks Shqipërisë. Fjala vjen tartufi i bardhë, ai më i çmuari gjendet në një lartësi që varion nga 100 në 700 metra lartësi nga niveli i detit. Një zonë e gjerë kërkimi, e cila mund të jetë kudo. Për ta gjetur duhet pak fat dhe shumë durim. Tartufi i zi, ai i periudhës dhjetor-mars preferon të jetojë në lartësi nga 100-1000 metër nga niveli i detit dhe çmimi i tij varion nga 3000-4000 euro kilogrami. Por zakonisht tregu i gjendet për rreth 1600 euro. “Ndryshe nga tartufi i bardhë, i ziu preferon terrenin e thatë gëlqeror, gurishtor dhe diellor”, thotë Ylli.

Pastaj në radhë vjen Bianchetto i cili shitet për 300-400 euro kilogrami dhe që gjendet nëpër pyje, poshtë lisave, pishave, lajthive apo dushqeve. Tartufi i zi i verës është më i liri nga të katër llojet që kërkohen më shumë dhe gjendet në të njëjtat lartësi e kushte si ari i zi.



“Por duhet të kuptoni se nuk është kaq e thjeshtë të gjendet e nuk mund të mbledhësh kurrë as sasi të mëdha sa të justifikosh legjendat që thuhen. Ndodh të kërkosh për ditë e javë të tëra e të mos gjesh asnjë kokërr”, tregon Ylli. Por ndodh ta gjesh edhe aty ku ndoshta nuk e pret. Siç ka ndodhur me të ditën kur gjeti kokrrën e parë, në Divjakë. “Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ishin kokrra të mbetura pas gjuetisë së italianëve, i llojit Bianchetto, rreth 300 gramë”, thotë duke shtuar se pikërisht këtu nis faza e dytë e mundimeve për tartufin. Gjetja është e para, ndërsa ruatja e dyta. Sepse si çdo lloj zhardhoku, edhe tartufi nuk jeton më shumë se dy javë. Praktika e zakonshme e Yllit është që pasi e gjen e mbështjell me letër thithëse dhe pasi e pastron me ujë e furçë e lë të mbështjellë (e ndërron disa herë letrën) nëpër kavanozë. Me këtë rast mund të shijohet edhe aroma, për të cilin tartufi është kaq i famshëm (secili prej llojeve ka aromën dhe veçantinë e tij ushqyese).

“Këtu nis një tjetër problem në fakt”, thotë Ylli. “Sepse nëse italianët e kanë trashëguar traditën e gjetjes dhe përdorimit të tartufit ne e kemi nisur nga fillimi. Na ka ndodhur shumë shpesh të na kalben edhe ata zhardhokë që gjeja, pa mundur as t’i përdorim e as t’i shesim”. Sigurisht me kalimin e kohës Ylli filloi t’i mësonte edhe sekretet, siç është konservimi pas 12 ose 15 ditësh, aq sa tartufi mund të jetojë në gjendje natyrale. Mësoi se tartufi që gjente me aq mundim mund të konservohej edhe në oriz, në vaj, në akull ose në qese pa ajër (sotto vuoto) dhe në një rast akoma më të mirë, të konsumohej në shtëpi, pse jo edhe çdo ditë.

"Ajo që di të të them me siguri është se kjo punë me ka kushtuar shumë. Kam shpenzuar tepër përgjatë këtyre viteve dhe është vetëm pasioni ai që më shtyn e që nuk më lejon të heq dorë”, thotë Ylli. Është edhe shija e mirë në të ngrënë e tartufit. Familja e tij tanimë e ka traditë: Të paktën çdo darkë një copëz e vogël buke e thekur e lyer me tartuf, nuk ka të paguar për shijen dhe shëndetin.

Vetëm një gjë nuk po shkon siç duhet pas kaq shumë vitesh kërkimit të tartufit: Tregu. Italianët e kanë traditë dhe jo më kot, të maskuar ose jo, kanë kërkuar nëpër pyjet tona. Përtej detit, dhe jo vetëm, tartufit ia dinë vlerat ndaj dhe e paguajnë kaq shumë. Por nuk vlen për fare kjo për Shqipërinë. Sepse këtu edhe ata restorante që mund ta shërbejnë preferojnë ta blejnë të konservuar nëpër supermarkete. Për mungesë kulture përdorimi, ose për efekt çmimi, Ylli deri tani më shumë e ka shijuar në shtëpi kërpudhën e çmuar sesa ka fituar para (e aq më pak bërë i pasur) prej saj.

“Le të themi që ka filluar të lëvizë diçka, por sigurisht që këtu nuk ka interes për tartufin siç mund të ketë në Itali për shembull. Restorantet ende nuk ia dinë vlerën përdorimit të tartufit të freskët, ndaj më shumë ka interes individual për të: Njerëz që e kërkojnë të konsumojnë një salcë me të paktën 40-50 për qind tartuf”. Dhe meqë tregun nuk ka fuqi ta ndryshojë Ylli dhe Enea kanë gjetur një tjetër formulë. Gjithnjë prej orientimeve të kunatit e prodhojnë vetë salcën me tartuf të freskët. E paketojnë në kavanozë të vegjël dhe, siç thotë Ylli, kushdo që e provon një herë e kërkon përsëri. Sa pa hiç, tregtia më shumë e reklamuar në rrjetet sociale, është e kënaqshme. "Kemi faqen tonë në Facebook, Tartuf Albania-Tiranë", thotë Enea, duke saktësuar se kjo është fusha e tij e veprimit. "Ka funksionuar sado që kjo punë kështu as që krahasohet me tregtinë e vërtetë". E cila zor se do të shohë kohë të mira për aq kohë sa edhe ligjet nuk parashikojnë ngritjen e strukturave specifike sa i takon tartufit. Puna dhe praktika e ka drejtuar Yllin edhe në kërkim të një licence dhe ngritjes së një pune e biznesi të mirëfilltë, por meqë ka mungesa ligjore, pyetje pa përgjigje e të tjera andralla, deri tani nuk ia ka dalë. “Por shpresoj se një ditë do të zgjidhen me ligj këto probleme", thotë Ylli, pa dashur t'i hyjë edhe më thellë kësaj pune. Fundja edhe sikur të kishte ligje, tregu ende nuk i ka vendosur rregullat e veta. Sepse për tartufin flitet, por në Shqipëri ende askush nuk e ka marrë seriozisht. Prandaj, deri kur të ndodhë kjo, Ylli Ristani do të vazhdojë të zgjohet shumë herët në mëngjes e bashkë me Ketin t’i ngjitet maleve. Krejt i vetëm do të gërmojë nëpër rrënjë pemësh të larta me shpresën se do të zbulojë tartuf. Dhe me ëndrrën se ndoshta kështu do të nisë edhe tradita e e gjetjes së tij. Përderisa të huajt e kanë shijuar para nesh, vazhdojnë ta kërkojnë dhe japin shumë para për të, me shumë gjasë, tartufit do t'i vijë dita edhe në Shqipëri.



Me "qumësht" tartufi

Keti nuk është shumë miqësor me të tjerët. I bindet vetëm të zotit e nëse gabimisht i hyn në territorin e vet, nuk është për fare një qenush i butë dhe i ëmbël. Ama nëse Ylli i vë para hundës një copëz të vogël tartufi, ndryshon menjëherë, tund bishtin dhe kërkon nëpër rrënjë pemësh aq me shpejtësi sa është shumë e vështirë ta ndjekësh. "Sepse është stërvitur për këtë punë", thotë Ylli ndërsa mundohet ta qetësojë. Në fakt një herë e një kohë fronin e nuhatësit të tartufit e mbante derri, por sot për gjuetinë e tij, më shumë përdoret qeni. Mund të jetë i racës labrador, qen gjahu ose çfarëdo tjetër, boll të jetë i mësuar që në lindje. "Për ta bërë një gjuetar të mirë të tartufit qeni mësohet me erën e tij që në ditët e para të lindjes", thotë Ylli. "Kur pi qumështin e nënës e vëmë të nuhasë aromën e tartufit, ose kur ka vetëm pak orë që ka lindur, i hedh pluhur tartufi në një rrjetë, të cilën ia mbështjellim rreth hundës. Kështu këlyshi ushqehet duke thithur edhe aromën e tartufit në të njëjtën kohë". Dhe pastaj kur rritet sa Keti, mund të quhet i specializuar ose gjuetari i vërtetë i tartufit.



Rekordet

Çmimi rekord i paguar për një zhardhok të vetëm të bardhë, është paguar në dhjetor të vitit 2007, kur Stanley Ho pagoi 330 mijë dollarë për një mostër që peshonte 1.5 kilogramë, e zbuluar nga Luciano Savini dhe qeni i tij Rokso. Gjithashtu në një tjetër rast, një tjetër tartuf i madh u gjend në afërsi të Pizës dhe u shit në një ankand të mbajtur në të njëjtën kohë në Macau, Hong Kong dhe Firence. Blerësi ishte sërish Ho, i cili pagoi 330 mijë dollarë për tartufin që peshonte rreth 1 kilogram. Ngjarja mban datën 27 nëntor 2010.

0/Post a Comment/Comments

Previous Post Next Post

Sidebar Ads

Ads1
Ads2