Në marsin dhe prillin e vitit 1990, më shumë se 7 mijë fëmijë shqiptarë të shkollave të Kosovës kërkuan ndihmën mjekësore nëpër qendrat mjekësore të Kosovës dhe ambulanca të improvizuara me shenja helmimi. Mjekët serbë në disa spitale refuzonin që të pranonin fëmijët e helmuar.
Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte “një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë”.
Në kronikën “Helmimet masive të 90-s: krimi që nuk u dënua kurrë” që do të transmetohet të hënën në emisionin “SOT” rrëfejnë ata të cilët ndihmuan fëmijët në kushtet që kishin dhe nuk dinin se si të shpëtonin rininë kosovare.
Sinan Rizvanolli, epidemiolog rrëfen për Kohavisionin detaje për këtë ngjarje. Ai edhe sot i ka të dokumentuara problemet që kishin pasur nxënësit e fjalët që kishin folur ata.
Po ashtu në kronikën e saj flet edhe biokimisti Bujar Domi, i cili kujton se si nuk kishin pasur laboratorë përkatës për të vërtetuar se me çfarë ishte bërë helmimi i nxënësve dhe analizat ishin dërguar në Kroaci, Angli e Francë.
Siç shpjegohet në kronikë, shumë prej analizave gjatë rrugës nuk kanë arritur në institucionin që i kishte kontaktuar për shkak se forcat serbe nuk kishin lejuar që ato të vërtetoheshin.
“Në këtë material nuk mungojnë as detajet për simpoziumin e mbajtur në Kroaci, në të cilin ishin mbledhur qindra ekspertë nga shumë vende”, shpjegon gazetarja Ardiana Shala.
“Kosova, sprovë e ndërgjegjes mjekësore” ishte titulli i simpoziumit të mbajtur më 2 qershor të vitit 1990 në sallën “Drustveni Dom” në Kaptol. Simpoziumi ishte organizuar si përgjigje ndaj dy raporteve federative, që ishin përpiluar për helmimet në Kosovë. Në këto dy raporte, nga dy komisionet federative të RSF të Jugosllavisë, që punuan në këtë çështje, thuhej se nuk është zbuluar shkaktari i cili kishte mundur të shkaktonte “fenomenin e helmimeve” në Kosovë, apo më mirë të përdoret termi tjetër zyrtar i tyre “shqetësime shëndetësore”.
Post a Comment