“Hackershtellë” për teknologji e art në shtëpinë e braktisur









Prishtinë, 18 maj - Rreth 20 të rinj i janë përgjigjur thirrjes për të pastruar një shtëpi të braktisur. Por misioni i tyre nuk përfundon këtu. Ajo do të shndërrohet në një vend për përplasje idesh në teknologji e art.


Ideja është e qartë: pjesëtarët e organizatës “Prishtina Hackerspace” dhe ata të projektit “Baushtellë: Balkan Temple” shtëpinë dykatëshe në lagjen “Aktash” të Prishtinës do ta bëjnë, siç e kanë quajtur, “Hackershtellë”, një hapësirë multifunksionale.

Kati i parë do të shfrytëzohet nga të rinjtë të cilët kanë ide të reja në teknologji, të cilat do të mund t’i jetësojnë në këtë ambient. Ndërsa hapësirat e katit të dytë do të shfrytëzohen edhe si galeri. Shtëpinë në gjendje jo fort të mirë e kanë marrë nën shfrytëzim për një vit dhe për të paguajnë qira.

“Baushtellë: Balkan Temple” është projekt i cili u prezantua në janar të këtij viti. Qytetarët e Prishtinës, Beogradit dhe Zürichut do të bashkohen për një performancë artistike. Nga tri qytetet do të zgjidhen nga dhjetë persona që do të udhëtojnë në këto tri vende bashkë me veprat e tyre. Në Prishtinë performanca do të mbahet në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Arbër Salihu, njëri nga “Baushtellë...” ka thënë se performanca në Prishtinë do të mbahet për një javë duke filluar nga 5 shtatori.

“E përgatitjet do të bëhen në këtë objekt”, ka thënë Salihu. “Qëllimi ynë është që të rinjve t’u japim mundësi që t’i shpalosin idetë e tyre. Kjo hapësirë do të shërbejë edhe si një lloj galerie për ata që duan t’i ekspozojnë veprat e tyre, por edhe si vend ku ata do të mund ta shfrytëzojnë për zhvillimin e projekteve”, ka shtuar ai.

Pastrimi i shtëpisë të dielën nisi në mesditë, teksa vullnetarët kanë qenë aty deri vonë.

Altin Ukshini, nga “Prishtina Hackerspace”, ka thënë se ka ende punë për transformimin e objektit. Planifikojnë që punët t’i kryejnë para muajit gusht.

Organizata që ai drejton tashmë ka një vend ku operon me idetë, por Ukshini, thotë se në “Hackershtellë” do të kenë mundësi më të madhe për zhvillim. Qëllimi i kësaj organizate është bashkëpunimi me të rinj për të eksperimentuar në fushën e teknologjisë. Merret me projekte të ndryshme, siç është kërkimi dhe eksperimentimi me melodi dhe me bimë. Po ashtu me digjitalizimim e librave të vjetër nga Arkivi i Kosovës, është njëri prej projekteve bashkë me hartën për autobusët e Prishtinës. Largimi i grafiteve vandale dhe zëvendësimi i tyre me art kreativ janë po ashtu në “shënjestër” të tyre.

“Nuk kemi për qëllim që të ‘hakeratim’”, ka thënë Ukshini, me shaka, tek ka treguar se punë e madhe i pret deri në hapjen e “Hackershtellës”.

“Kur kemi ardhur në fillim, ka qenë shumë e papastër. Në fakt ende nuk kemi arritur që të bëjmë shumë punë, sepse këto dy ditë më shumë jemi marrë me pastrimin”, ka thënë Ukshini.

Shtëpisë për “Hackershtellë” ia kishin mësyrë tash e një kohë.

“Më parë, një e huaj ka qenë në Kosovë dhe ka bërë një projekt me shtëpitë e braktisura në Prishtinë. Ka qenë si hartë, e në mesin e tyre ka qenë edhe kjo shtëpi. Kështu që kemi vendosur që ta marrim këtë vend dhe të fillojmë me punën këtu”, ka thënë Salihu. Sipas tij, Prishtinës i duhet një hapësirë të tillë. Apo siç e kanë shkruar bartësit e kësaj nisme në thirrjen për vullnetarë, kryeqyteti ka nevojë për një vend ku “njerëzit mund të punojnë në idetë e tyre, të takohen me njerëz të tjerë që i ndajnë interesat e njëjta e të shpalosin potencialin e tyre”. “’Hackershtella’ do të ofrojë një platformë për shkëmbimin e përvojave si dhe lindjen, zhvillimin e prezantimin e ideve të të gjitha fushave me theks të veçantë në teknologji dhe art’, shkruhet aty. E njëra prej ideve tashmë ka nisur të konkretizohet: shndërrimi i shtëpisë së braktisur në vend për ide në teknologji e në art.






0/Post a Comment/Comments

Previous Post Next Post

Sidebar Ads

Ads1
Ads2