Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka regjistruar me dy mbiemra kandidaten demokrate për bashkinë e Durrësit, Grida Duma, pasi i është kërkuar nga ky institucion sqarim për kërkesën e bërë. Kështu KQZ ka kthyer për plotësim dokumentacioni kandidaturën e Grida Dumës për bashkinë e Durrësit. Shkak për kthimin e dokumentacionit është bërë mbiemri i saj, pasi në dokumente figuronte me dy mbiemra. Kërkesa e kandidates së PD-së për bashkinë e Durrësit për t’u regjistruar me dy mbiemra, Shqina i martesës dhe Duma i vajzërisë, ka sjellë debate mes anëtarëve të KQZ-së. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ-ja regjistroi disa nga kandidatët, të cilët do të garojnë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit për bashkitë e Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, Lezhës dhe Korçës.
Mbledhja e djeshme u shoqërua edhe me debat. “Neni 51 i Kodit të Familjes thotë shprehimisht se, bashkëshortet kur lidhin martesë kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër njërin nga mbiemrat ose të mbajnë secili mbiemrin e vet. Kandidatja në fjalë i bie të regjistrohet me mbiemrin, me të cilin është regjistruar në martesë”, tha Edlira Jorgaqi, anëtare e KQZ-së. Ndërkohë, anëtari Hysen Osmanaj ishte më romantik në arsyetimin e tij. “Mua më vjen jashtëzakonisht mirë që ajo (Grida) po i verbon njerëzit se është shumë simpatike, edhe unë e dija që do të ketë meshkuj që do të jenë ashtu si zoti Gjonçaj, por edhe Edlira nuk duhet ta ketë inat”, tha ai.
Genci Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së, theksoi se dokumentacionet e tilla duan atësinë dhe mbiemrin. “Dokumentet e kandidimit duhet të kenë emrin, atësinë, mbiemrin, jo mbiemra të ndryshëm apo ku di unë”, tha Gjonçaj. Ndërkaq, Denar Biba, anëtar i KQZ-së, propozoi që të kthehet për plotësim kërkesa e Dumës. “Forca politike duhet ta plotësojë dokumentacionin konform ligjit dhe jo e kundërta”, tha ai. Pas fjalës së Denar Bibës, kryetarja e KQZ-së, Lefetrie Lleshi, e hodhi në votim, nga ku katër ishin “pro” kthimit të kërkesës së kandidates demokrate dhe tre ishin kundër.
Afati
Kthimin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë kandidates demokrate për bashkinë e Durrësit, Grida Duma, e ka shpjeguar në një prononcim për “Shekulli”-n përfaqësuesi ligjor i PD-së në këtë institucion, Njazi Kosovrasti. Ai tha se asgjë nuk është për t’u shqetësuar, duke saktësuar më tej, se kjo kërkesë është bërë nga Grida Duma. “Kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit ka kërkuar që të regjistrohet me dy mbiemra. Do të zgjidhet në ditët në vijim. Vendimi është shtyrë për t’u riparë”, tha Kosovrasti. Mësohet se mbledhja në KQZ, për miratimin e saj si kandidate për bashkinë e Durrësit është shoqëruar me debate, por Kosovrasti thotë se kjo është një çështje që nuk ka vend për panik, pasi ende ka kohë për të kryer regjistrimin. “Nuk ka pse të shqetësohemi. Kemi ende kohë që të bëhet kjo gjë”, tha përfaqësuesi i PD-së në KQZ.
Duma në Kuvend
Emri i kandidates së PD-së për bashkinë e Durrësit ishte objekt i batutave edhe në Kuvend. Ka qenë kryeministri Rama, i cili tha se, kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit është regjistruar së fundmi në këtë njësi vendore me një kontratë qiraje, tek daja i saj, i cili ka katër fëmijë. “Ju në 2011-n ngritët një industri të tërë dhe sollët nga Durrësi mijëra njerëz dhe i regjistruat në Tiranë. Në atë lëvizje, historia është krejt tjetër. Histori që mbaron me regjistrimin e kandidates tuaj me kontratë qiraje tek daja që ka 4 fëmijë. Tani, normal, s’ka problem. Ka të drejtën e vet t’i japë qeranë dajës. Ka të drejtën e vet të flejë me kalamajtë e dajës, ose poshtë krevatit të dajës”, tha Rama, duke ironizuar me vendbanimin e përdorur nga Duma për t’u regjistruar si banore e Durrësit. Por në mbrojtje të Dumës ka dalë dje edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish- kryeministrit. Ai i doli në “krah” kandidates së PD-së për bashkinë e Durrësit, pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Parlament, kur tha se Duma ka qëndruar me qira tek daja i saj në Durrës. Nëpërmjet një postimi në rrjetet social, Shkëlzen Berisha i ka kujtuar Ramës kohën kur ka ndenjur në Pezë.
Post a Comment