Bashkëluftëtari rrëfen momentin e vrasjes së dëshmorit Fadil Malokut “Mortajës”
Bashkëluftëtari i dëshmorit të kombit Fadil Maloku “Mortaja”, Jeton Pajaziti, në rrëfimin e dytë për gazetën “Bota sot” tregon se si iu kanë vrarë shokët e tij të luftës. Në vazhdim të rrëfimit e tregon edhe momentin e vrasjes së dëshmorit Fadil Malokut “Mortajës”.
“Më 9 Prill ’99, pas orës 02:00 të mëngjesit nga QS Papaj jemi nisur në drejtim të Padeshit me gjitha pajisjet luftarake. Me të arritur aty, kemi vazhduar rrugën në drejtim të kufirit shqiptaro shqiptar pasi kemi kaluar bazën operative komanduese në Padesh kemi arritur te Përroi ku ditë më parë dhe në atë pjesë kishim deponuar predhat, aty ndahemi në dy drejtime, unë me bashkëluftëtaret e mi me Milaim Mazreku, Isuf Krasniqi, Hamit Mehmeti dhe Florim Shehu kemi vazhduar në krahun e majtë, jemi ngjitur një shpati dhe kemi arritur në një lartësi të lartë buzë kufirit. Kurse, rreth orës 4 të mëngjesit i kemi dëgjuar disa detonime në drejtimin e 7 Korrikut, mirëpo nuk ishim në njohuri se çka po ndodhë atje. Pasi kemi arritur në një lartësi ku i tërë terreni ishte i mbuluar me borë, aty ishin duke pritur Komandant Sali Çekaj dhe Agim Ramadani e në mesin e tyre ishte edhe Komandanti i Njësisë “Cobra”, Naser Vllasi. Aty e njoftova edhe bashkëluftëtarin Arif Malokun”, rrëfen ushtari.
Luftëtari tregon se, ishte një mot i lig i përcjell me mjegull, reshje skllote dhe dëbore. “Pëderisa komandantët merreshin me ushtarët e tyre përnjëherë me drejtohet Komandant Saliu duke më kërkuar që ta vendosi topin në drejtim të një objekti shtëpie. Pasi që ishte mjegull dhe asgjë unë nuk shihja u befasova pse më kërkoj që ta drejtoj topin në atë drejtim, mirëpo Saliu më vërejti që u hutova më tha prit derisa të largohet mjegulla, momentin që largohet mjegulla do ta vëresh një objekt si shtëpi dhe menjëherë do ta fokusosh objektivin aty dhe pret komandën time. Momentin që u dëgjuan brohorit e zjarrit, Komandant Saliu më ka urdhëruar që të veproj me top 75mm në objektin ushtarak të Koshares. Tash më u kuptua që dita e shumëpritur e heqjes së kufirit artificial dhe dëbimit të forcave okupatore serbe nga Kazerma e Koshares veç sa filloi ku zhvilloheshin luftime të ashpra në drejtimin e Kazermës dhe kah krahu i djathtë, po të njëjtën kohë deri sa kishim goditur ne me projektilet e para në Kazermë dhe nëpër pozicionet përreth kazermës, kanë qëlluar pozicionet serbe në Rrasë të Koshares ku me ta ishte shenjëtar Besnik Jasiqi “KIKA” që me precizitet kanë detyruar forcat serbe që ti lëshojnë pozitat në Rrasë të Koshares”, tregon ai.
Bashkëluftëtari i “Mortajës”, thekson se, pothuajse çdo pjesë e pozitave ku UÇK-ja ishte grantohej nga forcat serbe, mirëpo sipas tij, nuk luante rol sepse e ndryshonin pozicionin kohpaskohe.
“Pasdite te pozicioni ku ishim ne ka arritur Milaim Mazreku dhe Arben Sejdiu me urdhër të Naser Vllasit, për ta marr një top 75 mm me dy predha e më pas i kemi dërguar dhe 8 predha të tjera. Gjatë kësaj dite nuk ka pasur të plagosur e as të vrarë nga ushtarët tanë, përkundrazi ne me efikasitet të lartë kemi vepruar mbi forcat e gjalla të fortifikuara përreth objektit ushtarak të Koshares, që i kemi shkaktuar humbje ushtrisë serbe.
Duhet përmendur se në Saliun vërehej një disponim i veçantë për luftën që e bënim ne. Ai gjithë ishte pranë nesh në vijën e parë, thënë shkurt në ballë të luftimeve. Ai thoshte se plani luftarak i përgatitur nga struktura komanduese po zhvillohej mirë, edhe pse ne në numër ishim pak. Gjatë natës së 9 dhe 10 Prillit nga Saliu është kërkua që të vazhdojmë të qëndrojmë në pozicione pran topit. Të nesërmen me 10 prill së bashku me bashkëluftëtarët tjerë dhe Komandant Saliun kemi vazhduar në drejtim të Rrasës së Koshares dhe kemi takuar Komandant Antonin, së bashku me të ishte dhe Komandant Agim Ramadani. Aty kemi vendosur topin në drejtim të Batushës që ti pengonim forcat e motorizuara serbe që mos të lëvizin në drejtim të Koshares. Derisa ishte Agimi pranë nesh, në Shkozën e Mulliqit vëreheshin forca të shumta të këmbësorisë serbe në lëvizje, andaj Agimi na ka urdhëruar që ti godasim me disa projektile nga Topi 75mm në forcat e gjalla serbe”, tregon ai.
Në ditën e 11 prill 1999, ai tregon se forcat e motorizuara serbe tentonin që të nisen rrugës nga fshati Botushë për në drejtim të fshatit Koshare dhe përnjëherë i kanë goditur me top 75 mm poashtu edhe me PM-12.7 mm gjë që menjëherë vërehej tërheqja e tyre mbrapa.
“Në Botushë qëndronin të maskuar një numër i madh i ushtarëve serb të cilët i kemi sulmuar. Gjithashtu edhe në drejtim të Shkozës kemi sulmuar në forcat e gjalla serbe. Atë ditë janë zhvilluar luftime të ashpra në tërë vijën e frontit ku forcat serbe tentonin me granatime të asgjësonin forcat tona të gjalla dhe ti rikthenin përsëri pozicionet dhe territorin e humbur. Edhepse ishim me numër shumë pak rezistenca jonë ndaj armikut ishte e mjaftueshme, madje kemi arritur që ta hutojmë armikun dhe nuk dinin se a po luftojnë me UÇK-në, apo me trupa të NATO-së tokësore. Kjo bindje ishte krijuar te armiku gjëja se NATO po lufton në tokë jo veç nga ajri, këto fjalë i kemi dëgjuar në radiolidhje nga vetë serbët”, rrëfen Pajaziti.
Luftëtari thekson se edhe përkundër luftës së mirë nga ana e tyre, ata atë ditë kishin humbur tre bashkëluftëtarë dhe ka pasur të plagosur të tjerë, mirëpo armikut thotë se i kanë shkaktuar shumëfish humbje më të mëdha.
“Mungesa e Agimit që nga 12 prilli vërehej, nuk dëgjohej zëri tij, mirëpo për ne ushtarët është mbajtur sekret e sidomos për ushtarët e ri. Për rënien e Agimit dëshmor unë kam dëgjuar me 14 Prill 1999 nga bashkëluftëtarët. Deri më 16 prill kam vepruar me top 75 mm nga pozicioni i Rrasës në dy drejtime, mirëpo është për tu habitur se forcat serbe edhe gjatë natës kohpaskohe i granatonin pozitat tona. Më 16 prill 1999 është kërkuar nga Saliu që t’i bashkëngjitesha në luftime Saliut dhe ju bashkangjita njësijësë “Cobra”. Derisa Sali Çekaj me Naser Vllasin kanë biseduar rreth detyrave tona, Saliu ka kërkuar nga një grup të shkojmë me Naserin. Aty në grup isha unë i caktuar së bashku me Arif Malokun dhe sa më parë kërkohej me arrit në vijën e parë të luftimeve që zhvilloheshin luftimet. Posa kemi arritur në afërsi te Kroit të Gomureve kemi vërejtur se ishte plagosur komandant Skënder Hasanxhekaj në pozicionet sulmuese”.
“Komandant Naseri ishte vendosur në pozicionin mbrojtës unë dhe Arifi jemi vendosur përball tij 10-15 metra largësi dhe pas pak kohe arrin Komandant Saliu me Milaim Mazrekun. Milaimi duhej të ishte pranë topit, mirëpo në mungesë të ushtareve Saliu e kishte marr me veti. Arif Maloku ishte në krahun e majtë, dërsa në krahun e djathtë ka arritur Fadil Maloku ”Mortaja” me vrap dhe është vendosur pranë një trupit me një gjatësi afërsisht 2 m dhe trashësi mbi 1m dhe menjëherë ka zhvilluar luftime shumë të afërta më pak se 10 metra. Pasi komandant Saliu u bindë se përball nesh ishin forcat serbe dha urdhër të hapim zjarr në drejtim të forcave të gjalla serbe, forcat serbe po ashtu kishin mbështetjen e fortë të artilerisë së vet, mirëpo distanca e luftimeve ishte aq e afërt sa që ne rezistonim me efikasitet të lart njëkohësisht nga artileria jonë granatoheshin pozitat serbe, gjatë luftimeve isha afër pozicionit të Arifit. Me sy në të isha kur u qëllua nga snajperisti serb në pjesën e sipërme të buzës dhe fytyrës në anën e djathtë, menjëherë është afrua Milaim Mazreku për ti dhanë ndihmën e parë dhe është bërë tërheqja e tij deri afër Rrasës së Koshares, ndërsa ne kemi vazhduar luftimet me forcat serbe ku ishim në avantazh derisa unë vlerësova se erdhi momenti të bëjë një lëvizje në drejtim të pozicionit të Fadilit në atë moment me kërkohet nga Komandant Saliu që mos të vazhdoja lëvizjen para, mirëpo unë e bëra. Posa arrita te pozicioni i Fadilit nuk e kam ditur se e ka qëlluar plumbi, jam vendosur pranë tij dhe me zë i kam thënë Fadil, Fadil, pasi që e kishte të vendosur kokën në trup ku ishte në pozicion luftimi e kam prek në krahun e djathtë dhe i është lëshuar koka e tij poshtë i përgjakur që e vërejta se është qëlluar me plumb në pjesën e kokës. Përnjëherë më erdhi që të marr armën e Fadilit t’i vazhdoj luftimet dhe të nxjerr gjakun e tij. Luftimet vazhdonin në tërë vijën e frontit, djathtas e kisha Arben Sejdiun, kurse majtas ishte Komandant Saliu dhe Naseri Vllasi me ushtar duke avancuar në luftime. Kjo ditë ishte triumfuese për ne, pasi i shkaktuam armikut humbje të mëdha në ushtarë dhe kishin dhjetëra të plagosur, mirëpo ne e humbëm një trim dhe luftëtar të madh Fadil Malokun “Mortajën” nga njësia Cobra”, thekson bashkëluftëtari i “Mortajës”.
Pajaziti thekson se po të njëjtën ditë janë ra dëshmorë edhe 5-6 ushtarë të njësive të tjera në Rrasë të Koshares, ndërsa është plagosur në anën e djathtë të kokës Arben Sejdiu nga njësia “Cobra”. Ai tregon se te ushtarët serb kishte rënë morali për luftë, kështu që i kishin ndjekur forcat serbe rreth dy kilometra në thellësi të Zhareve mbi Oplaz dhe kanë parë shumë gjurmë që serbët kanë bërë tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve serb.
“Para se të terrohej jemi kthyer dhe jemi vendosur në pozicionet e luftimit, gjatë natës ne që kishim provojë më të gjatë në luftime kemi shkuar nëpër shatorë që të bëjmë pak pushim e unë edhe më tej e kisha armën e Fadilit, mirëpo dikush nga komandantët apo ushtarët e kishte njoftuar kushëririn e tij që arma e Fadilit gjendet tek unë. Dema kushëriri i Fadilit ishte duke më pritur dhe ja dhurova armen që të ja dërgoj familjes së Fadil Malokut “Mortajës” në prezencë të Komandant Saliut. Gjatë natës dëgjoheshin granatime dhe të shtëna sporadike nga të gjitha anët ishte i qartë qëllimi i forcave serbe tashmë që ne mos të ndihemi të sigurt dhe me çdo kusht donin ta kthenin territorin e humbur dhe Kazermën e Koshares, mirëpo morali ynë ishte i pathyer dhe ishim besatuar që më këmba e armikut mos të shkel aty ku ka rënë Komandant Agimi me shokë”, thotë ushtari i UÇK-së. VAZHDON
Post a Comment