Komisioni për verifikim të veteranëve të UÇK-së ka publikuar sot listat e dëshmorëve, veteranëve, invalidëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të luftës për Zonën e Dukagjinit.
Në faqen zyrtare të Komisionit janë publikuar listat e tetë brigadave të kësaj zone, komandës kryesore dhe shtabeve lokale.
Në këtë zonë statusi i veteranit të luftës u është njohur 5430 personave.
Për më shumë mund të vizitoni faqen zyrtare: www.komveteani.net.
Në listat e Brigadës “138 Agim Ramadani”, nuk figuron deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili.
I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Ismaili fillimisht është habitur se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Mirëpo, pasi që edhe ai vetë i ka shikuar listat ka thënë se ky mund të jetë vetëm ndonjë gabim teknik pasi, siç deklaroi Ismaili, emri i tij është dërguar në Komisionin për Verifikimin e Veteranëve të luftës së UÇK-së dhe këtë ia ka konfirmuar edhe vetë komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha.
Ismaili thotë se nëse dikush e ka bërë qëllimisht dhe e ka larguar nga lista atë, ai “nuk do ta lë me kaq”. /KP/Zëri/
Post a Comment