23 shtator 2001 - Trepça.net 1. Fitoret e ushtrisë së Skënderbeut në vitet 1462-1465 Pas humbJes së rëndë që pësuan osmanët në betejen e Ujë Bardhës, më 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare. Gjatë kohës së ekspeditës shqiptare në Itali u nënshkrua edhe një armëpushim me osmanët. Më 1462, pasi u kthye nga Italia, Skënderbeu shpartalloi njërën pas tjetrës tri ushtri. Të parën, të komanduar nga Sinan Beu, e shpartalloi në Moker të Dibrës, kurse të dytën pranë qytetit të Ohrit dhe zuri rob edhe komandantin e saj, Hasan Beun. Gjatë rrugës së kthimit për në Krujë, Skënderbeut i erdhi lajmi për ushtrinë e tretë, drejt së cilës ai u nis menjëherë dhe e shpartalloi atë në afërsi të Shkupit. Gjatë vitit 1462 shqiptarët u ndeshën edhe me një ushtri tjetër në fushën e Livadhit pranë Ohrit. Pas një ndërprerjeje gati 2-vjeçare, luftimet rifilluan në gusht të vitit 1464, me shpartallimin e plotë pranë Ohrit të ushtrisë së komanduar nga Sheremeti. Pas kësaj Sulltan Mehmeti II ia ngarkoi drejtimin e ushtrisë kundër shqiptarëve sanxhakbeut të Ohrit, Ballaban Pashes, që ishte me origjinë nga Mati, i edukuar që në femijëri, (kur qe rrëmbyer nga osmanët) me besnikëri ndaj sulltanit. Gjatë vitit 1465 u zhvilluan një sërë betejash me Ballabash Pashën. Në betejën e parë, në fushën e Vajkalit të Bulqizës, ndonëse Ballabani u mund, ai arriti të kapte me pusi disa komandantë të ushtrisë shqiptare ndër të cilët edhe Moisi Arianitin (Golemin), të cilët u ekzekutuan mizorisht duke i rrjepur të gjallë. Betejat e tjera u zhvilluan në Oranik të Dibrës e në fushën e Vajkalit të Bulqizës dhe përfunduan me humbjen e forcave të Ballabanit. Pas këtyre disfatave, Ballaban Pasha mendoi t’i godiste forcat e Skënderbeut njëkohësish me dy ushtri nga dy drejtime. Duke qenë në dijeni të këtij plani, Skënderbeu veproi me shumë shpejtësi dha arriti të shpartallonte në fushën e Vajkalit, së pari, ushtrinë komanduar nga vetë Ballabani, dhe pas saj, në fushën e Kasharit, ushtrinë e Jakup Beut, kur ishte në marshim. Pas këtyre betejave të njëpasnjëshme, sulltan Mehmeti II mendoi së shqiptarët ishin shumë të lodhur dhe nuk do të mundnin të përballonin goditjen vendimtare që ai kishte projektuar. 2. Mbrojtja Heroike e Krujës gjatë Rrethimit II dhe të III (1466-1467)Në Maj të vitit 1466, në krye të të gjithë forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, që arrinin 150 mijë ushtarë, Mehmeti II iu drejtua viseve të lira shqiptare, duke ndjekur rrugën e vjetër Egnatia. Përballë taktikës së përdorur nga Skënderbeu, sulltani e ndau ushtrinë vet në dy pjesë, njëra, e pajisur më artileri, e me të gjitha mjetet e tjera të kohës rrethoi Krujën, mbrojtësit e të cilës i komandonte Tanush Topia, kurse tjetra duhej të ndiqte e të asgjësonte ushtrinë shqiptare e çetat e shumta që luftonin jashtë mureve të Krujës. Kudo që luftuan luftëtarët shqiptarë, si sulmues nën drejtimin e Skënderbeut, nëpër çetat ose si mbrojtës të kështjellës, treguan trimëri e heroizëm të papërshkruar që la mbresa të pashlyera te bashkëkohësit, duke përfshirë edhe armiqtë e tyre, pushtuesit osmanë. Pas më shumë së dy muajsh luftime të ashpra, sulltan Mehmeti II u bind së edhe këtë radhë Kruja nuk mund të pushtohej më forcën e armëve. Prandaj vendosi ta mbante në një rrethim të gjatë deri sa uria ti detyronte mbrojtësit e pamposhtur të dorëzoheshin. Këtë detyrë ia ngarkoi disa dhjetra mijë ushtarëve të komanduar nga Ballaban Pasha. Për strehimin e tyre e kontrollin e rrugës që kalonte nëpër luginën e Shkumbinit, ai rindërtoi dhe zgjeroi kështjellën e vjetër të Valmit, që i vuri emrin Ilbasan (Elbasan d.m.th. vend që sundon). Pas kësaj në gusht të 1466, kur pjesa më e madhe e trupave osmane, me në krye sulltanin po largohej, si hakmarrje për disfatën që pësoi, Mehmeti II pushtoi kështjellën e Qidhnës dhe të 10 mijë njerëzit e strehuar aty i masakroi barbarisht. Prania e vashduesme e trupave osmane, që nga maji i vitit 1466, kishte bërë që gjendja ekonomike e vendit të ishte katastrofike. Për shkak të mungesës së ushqimeve filloi emigrimi masiv i banorëve sidomos në drejtim të Italisë. Uria ishte e pranishme kudo. Duheshin siguruar ndihma në ushqime, arme etj. Për të perballuar gjendjen, Skënderbeu iu kerkoi ndihmë aleatëve. Në Venedik dërgoi të birin, kurse në nëntor të vitit 1466 u nis vetë për në Napoli e në Romë. Më të marrë vesh ardhjen e tij banorët e Romës vërshuan nëpër rrugët e saj si kurrë ndonjëherë për të parë e përshëndetur heroin e lavdishëm shqiptar. Skënderbeu qëndroi gjatë në këto vende, deri në fund të marsit të vitit 1467, por ndihmat që mori prej tyre ishin të pakta, në krahasim me nevojat e vendit. Me t’u kthyer nga Italia Skënderbeu krijoi një ushtri të fortë dhe më 19 prill të vitit 1467 shpartalloi plotësisht trupat osmane që po shkonin në perforcim të rrethuesve të Krujës dhe zuri rob komandantin e tyre që ishte i vëllai i Ballabanit, Jonimën, bashkë me të birin. Pas katër ditësh më 23 prill, ushtria shqiptare marshoi me shpejëesi në drejtim të Krujës dhe në bashkëpunim me garnizonin e saj, sulmuan forcat rrethuese dhe i shpartalluan plotësisht. Në këtë betejë, Ballaban Pasha u vra nga krutani Gjergj Aleksi. Pa kaluar një muaj nga kjo fitore, në fund të majit të vitit 1467, sulltan Mehmeti II, me tërë potencialin ushtarak të Perandorisë, u lëshua përsëri mbi Shqipërinë. Pas një beteje të ashpër me shqiptarët në luginën e Shkumbinit, pranë Byshekut, ushtria osmane e rrethoi rishtazi Krujën. Edhe tani organizimi i luftimeve u bë ashtu si gjatë rrethimit të dytë. I bindur se me forcën e armëve nuk mund të mposhtej qëndresa shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të përdorte në përmasa shumë më të gjera se më parë, mjetin ekstrem, shfarosjen masive të shqiptarëve. Ndonëse me mijëra shqiptarë u vranë dhe me mijëra të tjerë i përfshiu një eksod i madh, sulltani nuk arriti të thyente vullnetin dhe qëndresën e një populli të tërë që mbronte lirinë e vet. Në mbarim të verës, të rraskapitur dhe pa asnjë shpresë fitoreje, trupat osmane morën rrugën e kthimit, të ndjekur kemba-kembës nga luftëtarët shqiptarë. Për të shqyrtuar gjendien e vështirë në të cilën ndodhe vendi prej rrënimeve që kishte bërë ushtria osmane gjatë viteve 1466-1467, Skënderbeu thirri në janar të vitit 1468 kuvendin e princërve e të fisnikëve shqiptarë, të cilët për herë të parë luftuan pa komandantin e tyre Më 17 janar 1468 në moshën 63 vjeçare, në Lezhë, pushoi së rrahuri zemra e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Humbja e tij shkaktoi një dhimbje të thellë te të gjithë shqiptarët. I mbuluar me një lavdi të përjetshme, Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit, në atë vend historik ku ai kishte mbledhur princat e fisnikët shqiptarë. 3. Qëndresa e shqiptarëve të Moresë Betejat fitimtare të Skënderbeut u bënë burim frymëzimi edhe për shqiptarët e Moresë (Peleponezit). Pas pushtimit të Janinës (1430), ushtria osmane filloi të depërtonte edhe në viset më jugore të Ballkanit, si në More, ku shumica e popullsisë ishte shqiptare. Që në sulmet e para osmane mbi këtë rajon të Ballkanit, shqiptarët u dalluan si forca më aktive antiosmane. Për të shtypur qëndresën e fuqishme të tyre u angazhuan edhe vetë sulltanët, si Murati II, më 1444, dhe Mehmeti II, më 1458. Luftimet kryesore për pushtimin e Moresë nga osmanet u bënë gjatë viteve ‘60. Në krye të ushtrive osmane, sulltan Mehmeti II, që erdhi përsëri në prill të vitit 1460, pushtoi rajone të tëra të Moresë. Qendresës së fuqishme shqiptare që hasën kudo në More, pushtuesit iu pergjigjën me akte terrori masiv. Pasi morën kështjellën e Kastricës, ushtritë osmane masakruan 300 mbrojtësit shqiptarë të saj, duke i therrur, kurse komndanti e tyre Primo Kokën, e sharruan më dysh. Këto skena të tmerrshme u përsëritën në mënyrë edhe më makabre në kështjellën e Gardhiqit. Pas rënies së saj në duart e ushtrisë së sulltan Mehmetit II, mbrojtësit dhe 6 mijë banorët e strehuar aty, përfshirë gra dhe fëmijë të lidhur këmbë e duar, u therën në sheshin e kështjellës, e cila u rrafshua. Gjatë fushatës së vitit 1460 ushtritë osmane pushtuan edhe shumë kështjella të tjera, si Kalavritën, Korintin etj., ku mbrojtësit dhe të strehuarit u masakruan. Më këtë fushatë Moreja u pushtua nga osmanët. Vetem një numër kështjellash si Koroni, Modoni, Argoni, Nauplani etj., mbetën nën zotërimin e Venedikut, mbrojtja e të cilave iu besua luftëtarëve Shqiptare. Për pushtimin e këtyre kështjellave vashduan ekspedita osmane deri në fund të Shek. XV. Dëshmi e qëndresës së vendosur të shqiptarëve të Moresë dhe e qëndrimit të papajtueshëm me pushtuesit osmanë, ishte edhe emigrimi masiv i tyre në Italinë e jugut e në Sicili. Por edhe nëpër vendbanimet e reja u ruajtën ndër shekuj kujtimin për ngjarjet e lavdishme të shek. XV dhe për Heroin Kombëtar, dëshmi kjo e lidhjeve të thella shpirtërore që kishin pasur më luftën e shqiptarëve të udhëhequra nga Skënderbeu.Pjesë leximi 1. KRONISTË DHE HISTORIANË BASHKËKOHËS MBI LUFTËN DHE HEROIZMIN E SHQIPTARËVE GJATË RRETHIMIT II TË KRUJËS (1466-1467) 1. “ Skënderbeu me forca dhe me ushtri të fuqishme e silmonte çdo ditë ushtrinë e Mehmetit dhe nuk i linte për asnjë çast të qetë...lëshohej pa pushim mbi të si një përrua që zbret nga malet pas shirave të mëdha dhe përmbytëse dhe që rrëmben çdo gjë me vete, po ashtu edhe Skënderbeu lëshohej pa pushim herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër, e trondiste atë kudo, i shkaktonte armikut vrasje, dëme dhe humbje shumë të mëdha”.Marin Barleci 2. “Shqiptarët janë nga natyra trima e guximtarë sa nuk ka ku të vejë më. në sulm e në qëndresë janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e vuajteve e të fatkeqësive ata i presin me krahërorët e tyre të hapur dhe nuk e vënë kurrë përpara armikut mburojën e dobësisë e të përuljes”.Idriz Biltisi, historian osman 3. “Luftëtari më i dobët i shqiptarëve është nga më trimat e fushës së luftës, tamam sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë as mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima, ka ushta, majat e të cilave është plot me helm si thumbi i grerëzave, ka dhe një hark prej druri e bashkë më të edhe disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri.Kemal Pasha Zade, historian osman 2. BASHKËKOHËSIT MBI LUFTIMET E ZHVILLUARA GJATË RRETHIMIT TË III TË KRUJËS (1467) 1. “(Beteja e Byshekut).Shqiptarët e ndezën zjarrin e luftës, moret në duart e tyre ushtat, të cilat u ngjanin gjarpërinjve helmues dhe qëndruan në grukat e shpellave. Ata luftuan deri kur erdhi koha e mbrëmjes... kur lufta pushoi, ata u grumbulluan të gjithë në një vend dhe në mëngjes dolën si një lumë nga lugina dhe u vërsulën menjëherë mbi ushtrinë e Anadollit”.Ibn Kemal, historian osman 2. “Sulltani, pasi udhëroi ushtarët që të grabisnin e të plaçkisnin,...la maleve pjesën më të madhe dhe më luftarake të ushtrisë... kurse ai, duke qëndruar bashkë me pjesën tjetër të ushtrisë, plaçkiste vise të tëra të vendit”.Kritubuli, historian bizantin 3. “Mizori të pashembullta të sulltanit, i cili as për siguri as për dhimbje nuk të fal e nuk ka meshirë...Po bën në Shqipëri një mijë dhunime, vrasje e mizori, dhe po djeg e shkatërron një popull të tërë”.Nga letra të bashkëkohësve |
Post a Comment